‘Selfie’ e fansit mund të jetë fotografia e fundit e Kobe Bryantit

Kur Brady Smigiel realizoi një selfie me idhullin e tij, Kobe Bryant, të shtunën në Akademinë e Sportit “Mamba”, ai nuk e dinte se kjo mund të ishte fotografia e fundit me legjendën e NBA-së të gjallë.

Vetëm një ditë më vonë, Bryanti dhe e bija e tij Gianna vdiqën në një aksident ajror në Kaliforni.

Në aksident vdiqën edhe shtatë persona të tjerë.

Brady, që ka luajtur për Edge në Kupën Mamba fundjavën e shkuar bashkë me vëllain binjak, Beau, u zgjua duke menduar “Të shkojmë të shohim Koben para ndeshjes sonë”, ka thënë nëna e tij Dionne Reich Smigiel për “CNN”.

“Ata të dy janë të obsesionuar me basketbollin dhe fansa të mëdhenj të Kobet. Brady po shkruante në grupin tonë të familjes.

Kur arritëm në Newport Beach, Brady më detyroi të shkojmë kah hyrja e Kobyt me shpresën se do të arrinim në të njëjtën kohë në vend”, ka deklaruar ajo.

Të shtunën, Kobe ishte në Akademinë “Mamba” për të menaxhuar ekipin e Giannas, Lady Mambas, që po garonte në këtë garë.

Pas ndeshjes së parë, që Gianna dhe ekipi i saj e humbën, Brady kishte shkuar për të pyetur Koben për një selfie.

“Ai tha se Kobe ishte tejet i nervozuar që humbën dhe nuk do të lejonte të shkrepte një fotografi”, ka thënë Smigiel.

Gianna ishte paraparë të kishte ndeshje të tjera të shtunën e të dielën.

Dy vajzat tjera që ishin në helikopter, Alyssa Altobelli dhe Payton Chester, ishin po ashtu pjesë e ekipit të saj.

Brady pati një tjetër shans për të pyetur për Koben për fotografi pas ndeshjes së dytë, të cilën e fituan.

Teksa Bryant po largohej nga ndërtesa, adoleshenti shkrepi fotografinë që nuk doli me kualitet të lartë.

“Kobe i tha ‘Do të bëjmë tjetër selfie nesër’”, ka shtuar Smigiel.

Lajmi për vdekjen e Kobet dhe Giannas ka shokuar këtë familje.

“Jemi në shok, Kobe ishte tejet prezent në komunitetin tonë të vogël në Newbury Park.

Djemtë e mi nuk dinë si ta tejkalojnë këtë.

U zgjova të dielën dhe dëgjova se helikopteri ishte përplasur në Calabasas dhe i tregova familjes sime ‘Zot, një helikopter aspo ishte rrëzuar në kohën kur Kobe ishte paraparë të vinte në Camarillo. Të lutemi që nuk është ai dhe Gigi’”, ka deklaruar ajo.

“Një orë më pas e kuptuam në lajme. Është tejet e rëndë”.