Web Analytics

Senatori amerikan paralajmëron “pasoja” nëse Kurti dhe Vuçiq s’marrin hapa për de-përshkallëzim

Botuar nga: InfoKosova

Senatori amerikan, Chris Murphy, gjatë diskutimit në “Atlantic Council” me Ilva Taren, është pyetur rreth deklaratës së tij se duhet marrë masa nëse Kosova dhe Serbia nuk kontribuojnë në de-eskalimin e situatës.

Murphy ka thënë se kur ka folur për këtë çështje, ka thënë se thjeshtë elektorati i tij nuk do të ishte aq i gatshëm për të dërguar përkrahje financiare në rajon, përderisa Kosova dhe Serbia nuk ndërmarrin hapa për të vendosur paqen në rajon.

“E vetmja pikë që kam thënë është se SHBA ka një prezencë të madhe ushtarake në Kosovë, dhe jemi krenar për këtë.

Dhe kemi një rritje të bashkëpunimit ekonomik me Serbinë, dhe rritje të raportit në kuadër të Sigurisë me Serbinë, derisa Serbia po bën më shumë që ta ndihmojë Ukrainën ta luftojë Rusinë.

Mesazhi im është shumë i thjeshtë, zona ime elektorale nuk do të ishin të gatshëm të dërgonin para në rajon, nëse s’do t’i shihni liderët që të marrin hapa të nevojshëm për të mbajtur paqen”, ka thënë Murphy.

Ai tutje ka thënë se disa prej hapave të ndërmarrë në veri përgjatë 30 ditëshit të fundit kanë qenë panevojshëm provokativ.

“Unë mendoj se disa prej hapave të marrë në veri përgjatë 30 ditëve të fundit kanë qenë panevojshëm provokativ”, ka thënë tutje.

Murphy ka thënë se dëshiron një raport më të thellë në mes të SHBA-së dhe Kosovës dhe SHBA-së e Serbisë, por thotë se kjo mund të ndodh vetëm nëse Kurti dhe Vuçiq marrin veprime për të kthyer situatën në rrugën e duhur.

“Mesazhi për të dy është që unë dua një raport më të thellë me Kosovën dhe Serbinë, por kjo mund të ndodh nëse të dy liderët marrin hapat e nevojshëm për të kthyer situatën në rrugën e duhur”, ka potencuar tutje Murphy.

Të FUNDIT