Shërohet plotësisht nga Covid-19 lehona kosovare

Katër gra shtatzëna deri më tani, në bazë të të dhënave zyrtare, janë prekur nga Covid-19 në Kosovë.

Derisa një nga to tashmë ka ndërruar jetë.

Por gjendja shëndetësore e tri grave të tjera lehona tani është stabile.

Madje njëra nga to, tanimë është shëruar plotësisht nga koronavirusi.

E dy të tjera pritet të sjellin në jetë së shpejti foshnjat e tyre.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka dhënë detaje rreth gjendjes së tyre shëndetësore, në një lidhje direkte.

“Njëra nga pacientet me Covid pozitiv është në Klinikën Infektive duke u trajtuar.

Ajo është në javën e 36-të të shtatzënisë.

Gjendja e saj shëndetësore është stabile. Ne në vazhdimësi jemi duke e vizituar atë”, shpjegon Ismajli.

Ai thotë se një paciente e cila është shtatzënë tashmë është shëruar plotësisht nga Covid 19.

“Edhe një paciente tjetër është në javën e 37-të.

Ajo në dy testet e bëra ka rezultuar negativ.

Pra është shëruar plotësisht.

E kemi edhe një zonjë tjetër që ka Covid pozitiv e që është në javën e 35-të e që jemi duke e trajtuar”, shpjegon Ismajli.

Vetëm në muajin prill në Gjinekologjinë e QKUK-së janë kryer gjithsej 653 lindje.

Ndërkohë në muajin mars 70 lindje.

“Në muajin mars kemi pasë 709 lindje, ndërkaq në prill i kemi pas 653 lindje.

Fluksi i punës është normal.

Po kryhen rregullisht të gjitha lindjet.

Kemi lehona që na vijnë edhe nga regjionet e tjera të Kosovës.

Ne po punojmë me intensitet pothuajse normal”, thotë ai.

Ismajli tutje shpjegoi edhe për gjendjen e stafit mjekësor të Gjinekologjisë.

“Edhe stafi ynë tashmë është shëruar dhe janë të gatshëm për punë”, thotë ai.

Që nga 13 marsi, kur edhe u shënuan rastet e para me virusin COVID-19 në Kosovë, janë regjistruar 799 raste, 22 kanë përfunduar me fatalitet, derisa 249 persona janë shëruar.

Po ashtu, nga data 8 shkurt deri më 29 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.180 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.