Shkon në 13 numri i të infektuarve, ministri Vitia konfirmon edhe 4 raste tjera me koronavirus

Ka shkuar në 13 numri i të infektuarve me virusin COVID-19.

Është ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili bëri të ditur se mbrëmë vonë janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus.

Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të konfirmuar me datën 13.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë vonë, bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19.

Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datë 13.03.2020.

E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë.

Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme.

Mbani distancë nga tjetri.

Reduktoni daljet veç në raste emergjente.

Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ju faleminderit për mirëkuptim!