Shkon në supermarket për të blerë sende ushqimore, kthehet i martuar

Bllokimi mbarëkombëtar i Indisë për shkak të pandemisë së koronavirusit ka bërë që njerëzit të dalin për të blerë vetëm gjërat kryesore, por një 26-vjeçar pranë Nju Delhit, i cili shkoi për të blerë sende ushqimore, në vend të kësaj u kthye i martuar, thuhet në shkrimin e DPA-së që e transmeton ATSH-ja.

Nëna e tij, e habitur nga martesa e papritur dhe e fshehtë të djalit të saj, nuk e la çiftin të futej në shtëpi, në qytetin periferik të Delhit, Ghaziabad.

Pastaj ajo paraqiti një ankesë në polici duke lënë këtë të fundit të merret me këtë dramë familjare.

“Ai më tha që po dilte për të bërë pazar, por, kur u kthye, kishte me vete një grua. Unë nuk jam gati ta pranoj këtë martesë”, tha gruaja me sy të përlotur në një video që është bërë virale në median sociale indiane.

Çifti tha se do të merrte një certifikate martese pasi të hiqej bllokimi.

Polici Rakesh Kumar Mishra konfirmoi zhvillimet duke thënë se familja e dhëndrit kishte kundërshtuar martesën, pasi gruaja i përkiste një shtrese tjetër sociale.

Martesat e rregulluara janë kryesisht normë në Indi dhe prindërit përputhin me kujdes statusin e shtresës sociale të familjes kur vendosin për një martesë.