Shqiptarët e Turqisë nuk harrojnë identitetin kombëtar: Duan shtetësi kosovare

Shqiptarët të cilët janë lindur dhe rritur në Turqi nuk po harrojnë rrënjët e tyre, prej nga të parët e tyre kanë ardhur dekada më parë, të cilët përveç se janë të vetëdijshëm për identitetin e tyre kombëtar, dëshirojnë edhe shtetësi kosovare.

Gjatë muajit dhjetor, është mbajtur organizimi ‘Ditët e kulturës shqiptare’, ku të rinjtë shqiptarë të Turqisë, kanë zhvilluar ngjarje kulturore e sportive.

Qamil Bytyqi, i cili koordinon punën e Qendrës Kulturore të Kosovës, ka thënë për Klan Kosovën se po ngritet vetëdija për identitetin kombëtar tek shqiptarët e Turqisë.

‘Njerëzit kanë filluar të merren më shumë me çështjen kombëtare.

Një pjesë e madhe prej të rinjve kanë dëshirë të marrin shtetësinë e Kosovës dhe kjo është një gjë që tregon se të rinjtë janë të interesuar për Kosovën’, ka thënë Bytyqi.

Ai tutje ka shtuar se të rinjtë shqiptarë mblidhen dhe organizojnë aktivitete të ndryshme, ku ndër to ishte edhe mbledhja e ndihmave për tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.