Shuarja e një familjeje, flet axha: U nisën për të shkuar të miqtë, prisnin të hynin në banesë të re

Familja Ramadani nga Shtimja u shua dje në një aksident të rëndë trafiku në fshatin Koshare të Ferizajt.

Në vendin e ngjarjes vdiq Naim Ramadani 39 vjeç, nëna e tij (60), gruaja (32) dhe djali (10).

Në gjendje kome vazhdon të ndodhet motra e tyre, e cila po trajtohet në QKUK në Prishtinë. Për ngjarjen që tronditi gjithë vendin, Gazeta Express ka qëndruar sot në Shtime dhe nga atje sjell rrëfimet e axhës së kryefamiljarit, drejtorit të shkollës ku 10-vjeçari kishte vijuar mësimet deri në klasën e katërt dhe të kryetarit të Komunës Naim Ismajli.

Të gjithë apelojnë për kujdes dhe vëmendje të shtuar në komunikacion.

Për shkak të pikëllimit të madh shoqet dhe shokët e klasës së nxënësit të shkëlqyer Yllit, nuk arritën ta mbajnë mësimin, ndërsa në bankën ku ai ulej ishte vendosur një lule dhe fotografia e tij.

Mësuesja e tij ka thënë se gjatë katër vjetëve mësim sa ka qenë mësuese e tij, në asnjë situatë, Yllit nuk ka pasur nevojë t’i tërhiqet vërejtja.

“Pra, ka qenë i qetë, i edukuar, i shkëlqyeshëm, i sjellshëm dhe dëshira e tij më e madhe ka qenë të luajë me shokë”, pohon drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Shtime.

Mes dhimbjes e lotëve, axha i të ndjerit, Sali Ramadani, ka rrëfyer për Gazetën Express momentin kur morën lajmin e kobshëm dhe përgatitjen e familjes që të hynin në banesë të re.

Ai tha se nipi i tij dje kishte marrë rrugë për të shkuar të miqtë, (familjarët e gruas së tij).

“Unë jam Sali Ramadani, axha i Naimit.

Këtë rast e kemi përjetu boll rëndë, por s’kemi çka me bë, ndodhin këto sene, komunikacion është.

Ne send s’kemi pas të keqe me të (personin që ishte përfshirë në aksident), as s’e njohim as ai s’na njeh, ka ndodh.

Te miqtë e vetë ka pas me shku, 20 minuta nga këtu u nda prej neve dhe shkoi për rrugë.

Veç kur e dëgjuam ndihmën e shpejtë, shkuam e pam kerrin.

Bile policia s’na lanë por ju thash familjar i imi, tha urno hajde.

Lajmin e morëm përmes internetit, telefonit.

Janë ardhë policia më pas me na lajmëru…”, tha axha i të ndjerit për Gazetën Express.

Ai tha se motra e viktimës vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në QKUK, për shkak të lëndimeve të marra në aksident.

“Më duket që djali i vogël dhe gruaja s’kanë pas shenja jete, janë v.dek në vend.

Ai personalisht askënd s’e ka lënë, dera e shtëpisë është mbyll.

Një motër e ka në spital edhe ajo është pikëpyetje a mundet me jetu apo jo….Krejt e ka kry banesën, e ka pas gati, veç ka pas sa më shpejt me hy….Këtu ne kemi nejt me të, i çojshim mobile.

Unë s’e kam ditë që po shkon të dajët e gruas, të miqtë e vetë, veç kur nijtëm që ndodhi kjo.

Në se kemi ditë që është ky, por Golfin e kemi pa, e njoftëm.

Më duket se krejt ishin v.dekë në vendin e ngjarjes, veç ajo çika ka mbijetu.

Ajo është në gjendje të rëndë, vetëdije s’ka”, u shpreh ai.

Mesazhi i tij është që shoferët të mos vozisin shpejt automjetet e tyre.

“Sa më kadal me vozitë, po shteti duhet me i vendos kamerat që të shkon dënimi, si në shtete të tjera.

E këtu s’ka, këtu s’po dënojnë”, përfundoi ai.