Simptomat e korronaviirusit: A mund të quhet normale temperatura 37 gradë celsius?

Temperatura është një simptomat e koronavirusit (megjithëse jo gjithmonë) dhe si e tillë monitorohet kur hyjmë në mjedise publike.

A quhet temperaturë normale kur termometri shënon 37 gradë?

Në fakt, në këtë pikë, kufijtë nuk janë shumë të qartë dhe janë disa faktorët që e relativizojnë numrin 37 në termometër si temperaturë normale.

Si i tillë, ai është pranuar pas një studimi të vitit 1868 (pra 150 vjet më parë).

Së pari, nuk ka një numër fiks për atë që konsiderohet normale.

Temperatura normale është pak më e lartë për gratë sesa për burrat.

Është më e lartë për fëmijët sesa të rriturit.

Dhe është më e ulët në mëngjes.

“Një temperaturë 37.2 në orën gjashtë të mëngjesit është anormale, ndërsa e njëjta temperaturë në orën katër të pasdites mund të jetë krejt normale“, thotë Jonathan Hausmann, një reumatolog në Spitalin e Fëmijëve Boston dhe Qendrën Mjekësore Deaconess e Beth Israel në Boston, i cili të dhëna mbi temperaturën nga 11 458 matje duke përdorur një aplikacion iPhone të quajtur Feverprints.

Studimi i botuar në “Journal of General Internal Medicine” hedh poshtë temperaturën 37 gradë celcius si normale.

Përkundrazi, Hausmann dhe kolegët e tij gjetën një temperaturë mesatare normale tek të rriturit 36.5 gradë, matje e bërë me termometër oral.

Sa u përket etheve, Hausmann zbuloi se ato nisin në 37.5 gradë.

Hausmann thotë se temperatura e trupit duhet konsideruar koncept fleksibël, i parë në kontekstin e moshës, gjinisë, kohës së ditës dhe faktorë të tjerë, pra një mënyrë e ngjashme me atë që përllogarisim peshën, duke e parë në raport me gjatësinë dhe mënyrën se si pragu i presionit normal të gjakut ndryshon në bazë të moshës.

Termostati ynë i brendshëm qëndron në hipotalamus, një zonë e trurit me madhësinë e një bajameje, që na bën të djersitemi kur duhet të ftohemi dhe të dridhemi kur duhet të ngrohemi.

Temperatura e trupit mund të rritet për shkak të stërvitjes, motit të nxehtë dhe pas marrjes së disa ilaçeve të caktuara, përfshirë antibiotikët dhe antihistaminën.

Po ashtu, gratë kanë temperaturë më të lartë gjatë ovulacionit dhe shtatzënisë.

Temperatura është përgjigjja e parë që truri ynë u jep patogjenëve.

Proteinat e quajtura pirogjene rrjedhin përmes gjakut në hipotalamus, i cili përgjigjet duke rritur nxehtësinë e trupit.

Ethet ndihmojnë trupin të luftojë infeksionin duke stimuluar sistemin imunitar, duke shkaktuar një lloj alarmi për mbrojtjen e trupit.

Ai gjithashtu krijon një mjedis më armiqësor për bakteret dhe viruset, duke e bërë më të vështirë replikimin e tyre.

Megjithëse prindërit shpesh shqetësohen kur fëmijët kanë temperaturë, ajo është thjesht pararoja, jo armiku.

Studimi i doktor Hausmann nuk është i pari që sfidon idenë e një temperature standarde, megjithatë ne vijojmë ta shohim numrin 37 si kufirin mes normales dhe jonormales.

Ky numër mbeti i tillë nga Carl Reinhold August Wunderlich, një mjek gjerman i shekullit XIX, i cili e nxori këtë përfundim pasi mblodhi të dhëna nga 25 000 pacientë.

Ai arriti në përfundimin se 37 gradë celcius është “pika fiziologjike” normale e trupit dhe se ethet fillojnë në temperaturën 38 gradë celcius.