Sindikatat e Shëndetësisë paralajmërojnë grevë e masa radikale, Qeveria nuk po u përgjigjet kërkesave të tyre

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të enjten do të marrë vendim për të nisur grevën e mund të ketë edhe masa më radikale, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se do të dërgojnë edhe njëherë kërkesë Qeverisë për t’i përfshirë në proces të hartimit të Projektligjit për Paga.

Syla tha se të enjten Këshilli Drejtues i FSSHK-së do të paralajmërojë grevën, nëse Qeveria vazhdon ta injorojë kërkesën e tyre.

“Para ditës së enjte ne do të dërgojmë edhe njëherë kërkesën Qeverisë së Kosovës, pasi të enjten e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues në nivel nacional edhe faktikisht e paralajmëron grevën, nëse Qeveria nuk reflekton”, tha Syla për Telegrafin.

Syla tha se nuk kanë pasur asnjë kontakt me Qeverinë e Kosovës, e as ftesë për ndonjë takim.

“Jo nuk kemi pasur kurrfarë kërkese për takim, kjo është diçka e rrezikshme por ne nesër do të bëjnë edhe njëherë kërkese për korrektësi, sepse të enjten do të mbahet mbledhja e Këshillit ku do të merret vendim si do të veprojmë tutje”, tha ai.

Sipas Sylës, greva mund të nis me një ditë, por ai tha se ka mundësi që të ketë masa më radikale.

“Nëse nuk ka përgjigje të Qeverisë atëherë shkojmë në veprime sindikale, se çfarë do të jenë ato shohim, mund të fillojë një ditë total, kuptohet përveç urgjencës kuptohet.

Pastaj mund të shkojmë edhe në masa më radikale”, theksoi Syla.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme që SBASHK-u mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, tha se nëse Qeveria nuk reflekton atëherë mund të merren edhe masa tjera sindikale, duke përfshirë edhe grevën.

Telegrafi ka pyetur në Qeverinë e Kosovës se si do të trajtojnë kërkesat e Sindikatave dhe kur do tu përgjigjen atyre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Një javë më parë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Atdhe Hykollin, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Ali Gashin, kryetar i Këshillit drejtues të BSPK-së.

Por, gjatë këtij takimi, nuk është folur për Ligjin për Pagat e as kërkesat e punëtorëve.

Sipas komunikatës për medie, Kurti ka uruar Hykollin për detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së. /Telegrafi/