Takime të stërzgjatura, por pa rezultate konkrete u zhvilluan javën që lamë pas midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto që po synojnë bashkëqeverisjen për 4 vjetët e ardhshëm.
Ndonëse këto bisedime kanë nisur qe tre muaj, LVV-ja dhe LDK-ja vazhdojnë të kenë dallime të theksueshme lidhur me postin e presidentit dhe tash edhe të kryeparlamentarit.
Duke folur për zhvillimet LDK – LVV, njohësi i çështjeve politike Armend Muja shpreh mendimin që të dyja partitë, të cilat synojnë koalicionin qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, tashmë janë në fazën kur i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet për dikasteret specifike dhe rritjen e mundshme të numrit të dikastereve nuk e sheh si esenciale për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion.
“Sado që nuk e përjashtoj faktin se çfarëdo kreativiteti aty në ndarje të dikastereve të veçanta mund ta lehtësojë marrëveshjen, por këta e kanë kriterin kushtetues, që në momentin kur shtohen ministritë, atëherë ministria e trembëdhjetë duhet t’u takojë komuniteteve.
Pastaj është një ministri e humbur në këtë kalkulim të tyre.
Do të thotë nuk mund ta marrë asnjëra prej tyre.
Atëherë duhet bërë 14 ose 15 ministri dhe kjo e vështirëson atë konceptin mbi të cilin këto parti kanë fituar në zgjedhje”, ka thënë Muja për Zërin.
Muja vlerëson se as posti i presidentit dhe as ministritë specifike nuk janë aspektet kryesore që e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, të dyja këto parti sillen rreth dy skenarëve të mundshëm, të cilët po e pengojnë marrëveshjen.
“Skenari i parë është skenari gjerman, ku partia e parë merr kryeministrin dhe partia e dytë merr zëvendëskryeministrin, si dhe partia e dytë merr presidentin dhe partia e parë merr kryetarin e Kuvendit, ndërkaq ndarja e ministrive është e barabartë.
Ndërkohë, partneri i parë lëshon pe në një ministri derisa të zgjidhet posti i presidentit nga LDK-ja. Ky është skenari gjerman.
Skenari i dytë, që unë mendoj se e kërkon LDK-ja, është të rikthehemi edhe një herë në datën 25 dhjetor”, ka potencuar ai.