Sot asnjë rast me koronavirus në Kosovë, Qeveria aktivizon Planin e Reagimit Kombëtar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuar se sot nuk ka pasur asnjë rast me koronavirus në Kosovë.

Ai ka treguar edhe masat shtesë që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë në funksion të ndalimit të përhapjes së koronavirusit derisa ka thënë se kjo është koha vendimtare për menaxhimin e situatës.

Vitia ka thënë se kanë siguruar edhe 1 mijë teste dhe me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjerë, si dhe janë siguruar edhe respiratorë shtesë, shkruan Reporteri.net

“Kemi siguruar edhe një aparat tjetër që do të vihet në funksion nesër.

Janë kontaktuar ambasada të ndryshme për të na pajisur me materiale shtesë dhe po presin përgjigje.

Në takimin e djeshëm spitalet private kanë ofruar të gjitha kapacitetet e nevojshme.

Sot kemi kontaktuar dhe pritet të sigurohet kontingjenti i parë i respiratorëve shtesë.

Për momentin në sektorin privat dhe publik janë 130 respiratorë, por që ende asnjë nuk ka pasur nevojë të përdoret”, ka thënë ai.

Vitia ka bërë të ditur se sot është aktivizuar edhe Plani i Reagimit Kombëtar për menaxhimin e situatës së krijuar që do të jetë në menaxhim të Ministrisë së Brendshme.