Spanja i shënon 838 viktima të koronavirusit për 24 orë

Ka shkuar në 6528 numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Spanjë.

Vetëm në 24 orët e fundit, në këtë shtet u regjistruan 838 viktima të reja.

Edhe numri i të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit u rrit në masë të konsiderueshme me 6549 raste të reja, duke e çuar në 78797 shifrën e përgjithshme të të prekurve.

Spanja është një prej shteteve më të prekura nga sëmundja e re dhe ndodhet në vendin e dytë në botë me numrin e viktimave pas Italisë.

Autoritetet në Spanjë tashmë e kanë miratuar zgjatjen e afatit të masave emergjente, përfshirë izolimin e njerëzve, të cilët kanë të drejtë të dalin jashtë vetëm kur blejnë ushqime dhe ilaçe.

Spitalet e Madridit janë të mbushura me pacientë të infektuar dhe disa prej tyre janë parë të shtrirë nëpër korridore për shkak të mungesës së shtretërve të lirë.

Të shtunën, një anëtare e familjes mbretërore spanjolle vdiq pasi ishte diagnostikuar me koronavirus në Paris.

Ajo është princesha Maria Teresa dhe u bë viktima e parë e koronavirusit në mesin e familjeve mbretërore.