E diel, 6 Tetor, 2024
13.8 C
Pristina

Spiropali në Prishtinë, Konjufca: Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të natyrshme vëllazërore

Sot për vizitë në vendin tonë është kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ndërkaq është pritur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca në një postim në Facebook shkruan se Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të natyrshme vëllazërore.

“I urova nga afër detyrën e saj të re, me bindje të plotë se jo vetëm që do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë e shembullor që kemi pasur mes institucioneve tona legjislative, por do ta forcojmë atë edhe më tej.

Shtetet tona kanë lidhje të natyrshme vëllazërore, sepse janë themeluar mbi sakrificat dhe përpjekjet e të njëjtit komb. Kjo na obligon të qëndrojmë gjithnjë afër, duke mbajtur po natyrshëm të palëkundur parimin e mospërjashtimit mes interesit të shteteve tona dhe atij kombëtar”, tha ai.

Konjufca ka falënderuar Spiropalin për vizitën e saj të parë në Kosovë në cilësinë e kryekuvendares.

“Po ashtu, i kërkova mbështetjen dhe angazhimin e saj, si dhe të institucionit që drejton, për të vazhduar punën e përbashkët në fushën e parlamentarizmit dhe sidomos në arenën ndërkombëtare, sepse mbështetja e ardhur nga Republika e Shqipërisë është e pazëvendësueshme dhe me domethënie të paçmueshme për Republikën e Kosovës, si dhe për lehtësimin e proceseve nëpër të cilat ecën shteti ynë”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja Spiropali shprehu gatishmërinë e saj pa rezerva, për të punuar me të gjitha kapacitetet në drejtim të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve.

“Edhe në konferencën e përbashkët për shtyp, rivendosëm në dukje domosdoshmërinë e mbështetjes së ndërsjellë, si dhe bindjen e përbashkët se sfida e Kosovës në raportet me Serbinë vendoset në rrugë të drejtë për sa kohë bazohet në njohje të ndërsjellë, shkëputje e ndëshkim ndaj së shkuarës së krimeve të luftës”, shkruan ai. /Telegrafi/

Nga Rubrika