S’u largua nga Kina, flet emigrantja shqiptare: Gjithçka po i kthehet normalitetit

Një emigrante shqiptare, e cila jeton dhe punon në Kinë, ka folur për situatën që po kalon shteti aziatik, pas “fitores” në luftën kundër koronavirusit.

Ajo quhet Brikena Vokopola dhe punon si redaktore dhe kërkuese në një kompani teknologjike.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun”, ajo tha se gjendja është qetësuar në Kinë dhe gjithçka ka filluar t’i rikthehet normalitetit.

Megjithatë, qytetarët kinezë janë shumë të vëmendshëm dhe kujdesshëm për pasojat dramatike që la pas koronavirusi.

Vokopola tha se kishte besim tek mjekësia e shtetit kinez dhe nuk ishte larguar nga Kina si shumë qytetarë të tjerë.

Ndër të tjera, ajo tha:

Nuk ka të infektuar të rinj dhe vihet re se po hapen bare dhe restorante por gjithmone me orat të kufizuar.

Ka rënë ndjeshëm numri i vdekurve dhe të infektuarve.

Kujtojmë këtu që koronavirusi shpërtheu për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës.

Falë masave ekstreme të ndërmarra, autoritetet kineze arritën ta izolonin virusin, duke reduktuar ndjeshëm numrin e viktimave dhe duke frenuar përhapjen e mëtejshme të Covid-19.

Megjithatë, Kina është vendi ku janë regjistuar më shumë viktima nga koronavirusi, ku kanë humbur jetën 3,226 persona.

Gjatë orëve të fundit në Kinë janë raportuar vetëm 21 raste të reja me Covid-19, ndërsa numri i vdekjeve gjatë 24 orëve të fundit është reduktuar në 13.