Surroi: Me inicim të mosbesimit ndaj Qeverisë, fiton interesi i luftës politike

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, ka vlerësuar se interes shoqëror në Kosovë, është që të luftohet kundër krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, atë ndaj COVID19.

Por sipas tij, me inicim të mosbesimit ndaj Qeverisë, fiton interesi i luftës politike, jo interesi shoqëror.

Në një postim në Facebook, Surroi, ka thënë se luftimi i COVID-19, prej sonte i është nënshtruar një lufte politike, e cila pikësynim kulmor ka pezullimin e veprimeve të Gjykatës speciale dhe arritjen e një marrëveshje të shpejtë Thaçi-Vuçiq.

Postimi i plotë i Veton Surroit:

1. Interesi shoqëror në Kosovë ka qenë dhe është që të luftohet kundër krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, atë të COVID19.

Me inicim të mosbesimit ndaj Qeverisë, fiton interesi i luftës politike, jo interesi shoqëror.

2. Çfarëdo interesi shoqëror tash i nënshtrohet interesit politik.

Pra, lufta kundër COVID19 i nënshtrohet luftës politike.

3. Lufta politike duhet të gjenerojë një Qeveri të re pa hyrë në zgjedhje të reja parlamentare.

Kjo do të thotë se duhet të formohet një Qeveri e cila gëzon besimin fillestar të Hashim Thaçit, si president i Republikës i cili duhet ta japë mandatin për formimin e saj.

4. Në gjashtë muaj e fundit Hashim Thaçi ka trajtuar dy çështje si parësore në komunikimin e tij me diplomacinë amerikane.

Ka kërkuar mënyra për ta kundërshtuar veprimin e Gjykatës speciale, në letrat dërguar sekretarit Pompeo.

Dhe, paralelisht, ka kërkuar që të arrihet marrëveshja me presidentin serb, e me ndërmjetësim të ambasadorit Grenell, një marrëveshje e cila ka nxitur spekulime konstante për këmbim territoresh, autonomi territoriale serbe në Kosovë dhe eksterritorialitet të Kishës ortodokse serbe.

Rrjedhimisht, mandati i Qeverisë së ardhshme do të jepet me parapëlqim për këto dy çështje.

5. Luftimi i krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, ajo e COVID19, prej sonte i është nënshtruar një lufte politike e cila pikësynim kulmor ka pezullimin e veprimeve të Gjykatës speciale dhe arritjen e një marrëveshje të shpejtë Thaçi-Vuçiq.