Sveçla: Nëse s’arrijmë marrëveshje me LDK-në, opsion është edhe qeveria e pakicave

Lëvizja Vetëvendosje është në pritje totale të përgjigjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, nëse nuk arrihet marrëveshja me partinë e drejtuar nga Isa Mustafa, Vetëvendosje, paralajmëron që do të mund shkojë edhe në qeveri të pakicave, njofton Klan Kosova.

“Ne po insistojmë në një marrëveshje të drejtë me LDK-në si partner në qeverisje dhe do të tentojmë që deri në fund ta arrijmë.

Por, edhe qeveria e pakicave është një opsion, por ne jemi të vendosur që të punojmë drejt një marrëveshje me LDK-në”.

Sveçla tha se LDK-ja duhet të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të saj dhe më pas të vendosë për ofertën e Albin Kurtit, që sipas tij, është shumë gjeneroze.

“Në takimin e fundit të dy subjekteve politike ne jemi dakorduar që oferta jonë të shkojë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe të marrim përgjigje zyrtare në këtë ofertë tonën.

Sa i përket letrës, oferta e Levizjes Vetëvendosje është ofertë zyrtare e kësaj partie.

Sveçla tha se janë duke e pritur përgjigjën e tyre dhe në bazë të asaj përgjigje të ndërmerren edhe hapat e ardhshëm.

Brenda letrës ai tha se është edhe një kërkesë për takime me LDK-në.

Zgjedhja e Glauk Konjufcës kryeparlamentar për Lëvizjen është një punë e kryer.

“Kryetari i ri i Kuvendit, Glauk Konjufca, është zgjedhur me 75 vota dhe në mënyrë shumë demokratike.

Ai është i duhur për këtë pozitë për të bërë çkapjen e shtetit dhe besoj se do të tregojë sukses.

Nëse dikush ka vërejtje ndaj punës së tij ka të drejtë të bëjë kërkesën për shkarkim nëse arrijnë votat.

Ai është i denjë për këtë post dhe Vetëvendosje nuk lëviz nga ky qëndrim”.

Ndërkaq, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, sot gjatë ditës tha se ndjehet optimiste për arritjen e marrëveshjes duke thënë se partia e saj nuk do ta inicojë shkarkimin e Konjufcës nga kryeparlamentari.