Tahiri: Shtimi i Ministrive po bëhet për interesa partiake dhe për të siguruar vota për qeverinë ‘Hoti”

Me arritjen e marrëveshjes ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismës, minoriteteve dhe tentimit për koalicion edhe me AKR-në, është konfirmuar edhe ndarja e ministrive në qeverinë “Hoti”.

Partia e parë LDK-ja, përveç pozitës së kryeministrit pritet t`i ketë edhe 6 ministri të tjera në qeverinë që pritet të formohet së shpejti.

Pa dikastere qeveritare nuk do të mbesin as partnerët e koalicionit, teksa për t`u krijuar një balancë në mes të tyre, pritet të ketë edhe rritje të numrit të ministrive nga 15 sa janë tani.

E lidhur me këtë çështje politologu Ramush Tahiri në një intervistë, ka pohuar se një gjë e tillë nuk është vendim i mirë.

Ai ka vlerësuar që zvogëlimi i ministrive nga qeveria në ikje “Kurti”, ishte një vendim shumë i mirë dhe efikas për qeverisje.

“Nuk është vendim shumë i mirë sepse qeveria e Albin Kurtit e zvogëloi numrin e ministrive në 15 dhe ishte numër i mjaftueshëm edhe për t`i rehatuar partnerët e koalicionit por ishte shumë efikas edhe për qeverisje”, ka thënë Tahiri.

Edhe pse në qeverinë “Hoti”, pritet të shtohen vetëm 2 ministri, pra 17 gjithsej, Tahiri ka theksuar se ky numër është rritur vetëm sa për t`i rehatuar partnerët e koalicionit në qeverinë “Hoti”.

“Duket që qeveria e Avdullah Hotit do t`i ketë 17 ministri sepse nuk po mund t`i përmbush të gjitha kërkesat e partive të ndryshme politike që po ka nevojë për me i fut në koalicion.

U nevojiten më shumë se 61 vota dhe duket partia e Pacollit AKR, do ta ketë një ministër dhe grupi 6+ një ministër”, ka thënë ai.

E gjithë kjo rrëmujë, sipas politologut, është krijuar vetëm për t`i krijuar numrat për ta votuar qeverinë e re, pasi që sipas tij, edhe brenda LDK-së nuk ka vota të sigurta për votim të ekzekutivit.

“Pra do të jenë 17 ministri në mënyrë që qeveria e Avdullah Hotit të mund t`i ketë votat e nevojshme për tu votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kjo edhe për faktin se 28 deputetët e LDK-së nuk janë të sigurt që votojnë të gjithë, sepse po të kishin votuar të gjithë ata atëherë nuk do të kishte pasur nevojë ndoshta AKR-në e Behgjet Pacollit për me e fut në Qeveri”, ka thënë ai.

Lidhur me futjen e AKR-së në koalicion, ai pohoi se kreu i kësaj partie, Behgjet Pacolli është i njohur për pazare politike dhe për marrje të më shumë ministrive.

“Behgjet Pacolli më herët pikërisht për shkak që nuk i janë respektuar kërkesat pati deklaruar që nuk do të jetë pjesë e qeverisë, ndërsa tani kërkon një ministri.

Struktura e Qeverisë do të jetë kjo. 6 ministri për LDK-në si parti e parë, 4 ministri për AAK-në, 2 ministri Lista Serbe, 1 ministri lista boshnjake dhe 2 ministri Nisma. 1 ministri edhe për grupin 6+ dhe një ministri për Pacollin”, tha Tahiri.

Ndërsa për sa i përket ndarjes së ministrive, Ramush Tahiri potencoi se varet nga interesat që kanë partnerët e koalicionit./Front Online/