Tahiri: Silleni projektligjin për Trustin

Shefi i Grupit të Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që ta sjellin në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, si lehtësim ekonomik për qytetarët e vendit.

Kjo deklaratë e Tahirit vjen pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kur u caktua seanca e ardhshme parlamentare.

Tahiri në një konferencë për media, tha se deputetët e shumicës e dinë që sa e rëndësishme është tërheqja e mjeteve të Trustit.

“Tema e dytë ka të bëjë me trustin. Kërkesa në kryesi është e qartë; silleni ligjin për trust sa më shpejt në seancë parlamentare, pasi tani deputetët e shumicës e dinë, e kuptojnë se sa e rëndësishme është që kontributdhënësit, të punësuarit t’i tërheqin paratë e tyre në këtë krizë. Kjo është kërkesa jonë”, shtoi ai.

Ai po ashtu foli për reformën zgjedhore, teksa ngriti disa çështje në dilemë.

‘E treta ka të bëjë nacionale të rëndësishme, që është reforma zgjedhore, është dakorduar që komisioni t’i trajtojë tema të rëndësishme. Në këtë temë, AAK-ja ka qëndrim pak a shumë më të avancuar.

Tema e parë është se a duhet presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë apo me sistemin që e e kemi. Tema e dytë është a do të ketë një zonë a po shumë zona. Tema e tretë është numërimi i votave.

A duhet të bëhen në klasë, qendër, forma elektronike apo fizike dhe shumë e rëndësishme është se a duhet nëse është një listë, a duhet të jetë një tik apo më shumë tike”, tha ai.