Tahiri: Thaçi e Veseli gjithmonë ia kanë shuar ëndrrat Surroit

Ish-Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK’së, Abelard Tahiri ka thënë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë prishur përgjithmonë shumë ëndrra Veton Surroit.

Sipas tij, Veton Surroi sot shfrenohet nga entuziazmi, sepse për shkak të Thaçit e Veselit i janë shuar përgjithmonë ëndrrat jugosllave me të cilat është ngjizur.

“Ia kanë prishur ëndrrën e mëkëmbjes së Jugosllavisë, ëndrrën e Beogradit si epiqendër kulturore dhe politike të gravitimit të shqiptarëve, ëndrrën e orientimit titist të shoqërisë sonë të lirë.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si drejtues të UÇK-së, e kanë nxjerrë Kosovën nga periferia e historisë dhe e kanë bërë atë histori të suksesit, të pastër, të drejtë, të rreshtuar pro demokracisë dhe Perëndimit”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar dje se ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vr.asjen e 100 personave.

Në njoftimin nga Haga thuhet se një gjykatës i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

https://www.facebook.com/OfficialAbelardTahiri/posts/554053845271225