Takimi në Berlin ishte i rëndësishëm në “thyerjen e akullit”

Takimi në Berlin ishte i rëndësishëm në “thyerjen e akullit” pas rritjes së retorikës armiqësore midis Serbisë dhe Kosovës.

Me një takim të tillë, si Kurti ashtu edhe Vuçiq u vunë në pozitën që duhej të ndryshonin gjuhën e tyre dhe të shprehnin një qëndrim pozitiv në parim ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Kështu thotë Edward P. Joseph, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

Takimet maratonike që u zhvilluan në Berlin më 4 maj, që në fokus kishin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë u komentuan si hap përpara drejt rritjes së dinamikës në procesin e dialogut në mes dy vendeve.

Por, profesori Edward P. Joseph thotë se në thelb nuk pret shumë ndryshim në dinamikën e këtij procesi edhe pas këtyre takimeve.

“Në thelb, nga ky takim unë shoh pak ndryshim në dinamikën e zhvillimeve të dialogut. Njerëzit harrojnë se dinamika në dialog ishte e vështirë edhe para se Kurti të bëhej kryeministër për herë të dytë.

Bisedimet kishin dështuar kur Hoti ishte kryeministër, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, kur Beogradi u angazhua në një gjuhë shumë provokuese që në dukje ishte krijuar për të parandaluar përparimin” tha ai.

Sipas tij, në çdo rast, është e qartë se dialogu, si një mjet hap pas hapi për përparim, është kryesisht i pafuqishëm, sepse shton ai, po shihet që edhe çështja e targave është e lidhur në çështjen gjithëpërfshirëse të sovranitetit mbi Kosovën.