Telekom i dërgon letër Ramush Haradinajt, po falimentojmë 100%, na ndihmo

Hiç më pak se 5 milionë euro, Bordi Drejtues i Telekomit, i ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj për ta shpëtuar këtë ndërmarrje nga falimentimi.

Në letrën të cilën e ka siguruar gazeta inFokus, thuhet se këto para duhen si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal.

Në të kundërtën, ndërmarrja e udhëhequr nga drejtori menaxhues, Bedri Istrefi, rrezikon 100 për qind të kolapsoi teknikisht.

“Telekomi i Kosovës si Ndërmarrje Publike Qendrore, me aksionar të vetëm Qeverinë e Republikës së Kosovës, u drejtohet përmes kësaj kërkesë për rritjen e kapitalit të kompanisë në shumë prej jo më pak se 5 milion euro, si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal dhe pa rrezikun e falimentimit të TK”, thuhet në letër.

Në këtë letër thuhet se Telekomi i Kosovës është duke kaluar në gjendje të rëndë financiare dhe rrezikon të hyjë në një situatë ku nuk është e menaxhueshme dhe pasojat janë të pa imagjinuara.

Si pasojë e situatës së krijuar në Telekom janë grumbulluar kërkesa të kontraktorëve të papaguara dhe si pasojë Telekomi është duke operuar pa mirëmbajtje të platformave teknike dhe rrezikon të kolapsoi teknikisht.

“Gjendja e sistemeve teknike ( Rrjeti Qendror, Centralat, Radiot core network) janë siç është më se keqi pa mirëmbajtje dhe shumica prej këtyre pajisjeve janë edhe në “end of life”.

Për të u rënduar ende kjo gjendje, Telekomi i Kosovës është duke operuar edhe pa mirëmbajtje të platformave duke rrezikuar kolapsin 100% teknik dhe funksional në ofrim të shërbimit.

Si pasojë e kësaj gjendje teknike dhe kualitet janë jo të kënaqshëm të ofrimit të shërbimeve, edhe është duke u dëmtuat imazhi i kompanisë e di për pasojë kemi edhe rënie të të hyrave ( mos realizmi të Biznes Planit)”, thuhet aty.

Në këtë situatë të cilën është kompania, zyrtarët e Telekomit i bëjnë me dije Haradinajt se është alarmi i fundit që e bënë të natyrës emergjente dhe jetësore ofrimin e mbështetjes financiare për rimëkëmbjen e TK-së.

Disa javë më parë kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, pati shkruar se viti 2019 e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta Telekomin, kjo si rezultat i pamundësisë financiare.

“Viti 2019 Telekomin e Kosovës e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta, qoftë në aspektin e operimeve si rezultat i pamundësisë financiare për t’i mirëmbajtur dhe zhvilluar platformat e veta për ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët; qoftë nga mungesa e përkrahjes së munguar nga Aksionari, konkretisht nga MZHE, si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës”, pati shkruar Istrefi.

Ai pati akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin LLukën se e ka dëmtuar imazhin e Telekomit me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes.

Megjithatë, falimentimin edhe vet Istrefi e ka ngritur shqetësim tek kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj.

Kjo gjendje e rëndë e Telekomit të Kosovës siç përmendet në letrën e dërguar në zyrën e Kryeministrit në detyrë është krijuar gjithashtu si rezultat i Vendimit kundërligjor të Aksionarit , Qeverise së Republikës së Kosovës, për të deklaruar, dhe paguar dividend në vitin fiskal 2015.