Tërmkolli: Albini po e sulmon pa ndalë SHBA’në, të vetmet kontakte i ka me Serbinë

Anëtarja e LDK’së, Melihate Tërmkolli ka deklaruar sot se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke e sulmuar pa ndalur Amerikën, e se tashmë të vetmet kontakte i ka me Serbinë.

Ajo thotë se sipas logjikës së Kurtit, SHBA po del që ka bërë ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë (Serbia e Mali i Zi), me Kosovën e okupuar, atëherë kur SHBA me NATO-n më1999 bombardoi Serbinë dhe solli çlirimin dhe lirinë e Kosovës nga Serbia.

Tani, sipas logjikës së Kurtit, kur SHBA po përpiqet të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë që do të sillte njohjen e Kosovës shtet i pavarur nga ana e Serbisë, edhe kjo qenka ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

Pra sipas tij, Kosova qenka e rrezikuar nga SHBA, nga Shtëpia e Bardhë!

Kështu mendon, kështu flet, kjo është logjika e Albin “patriotit”!

Njësoj si Serbia e Vuçiqi, që për 20 vjet e deklaronin të njëjtën gjë për Amerikën! Edhe më keq, sepse SHBA ishte promotori i lirisë e pavarësisë tonë e jo i Serbisë.

Madje me një dallim, tani.

Derisa Serbia sot po bashkëpunon me SHBA-të, Albini jo veç ka shkëputë çdo kontakt zyrtar me Amerikën por edhe e sulmon pa ndalë.

Të vetmet kontakte zyrtare të Albinit, Kryeministër në detyrë, janë ato me Serbinë dhe me të gjithë ata që nuk e kanë njohur Kosovën shtet i pavarur”, ka shkruar ajo.

Tërmkolli thotë se me këtë logjikë është duke u rrezikuar siguria nacionale e Kosovës.

“Ky është turp kombëtar dhe pak më tepër.

Ky nuk është fati i Kosovës dhe shqiptarëve, është një fatkeqësi.

Një incident i madh në historinë tonë politike kombëtare.

Që duhet përmirësuar një orë e më parë”, deklaroi ajo./GazetaExpress/