Gjendja e jashtëzakonshme pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë, sipas propozimit të presidentit Hashim Thaçi, pritet të zgjasë 30 ditë.
Pas takimit me ekspertë e kryetarë të odave ekonomike në Kosovë, Thaçi ka thënë se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar, raporton KOHA.
Në një takim disa minutash, të mërkurën, me presidentin ishte edhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Mirëpo në konferencën e përbashkët me Thaçin, Ramadani nuk pranoi të tregojë nëse është e domosdoshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Dekretin e presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme e kanë përkrahur partitë në opozitë.
Kuvendi i Kosovës, sipas Kushtetutës, ka kohë 48 orë që të thërrasë seancën në të cilën do të miratohej ose jo shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Dekreti i presidentit hyn në fuqi nëse 2/3 e deputetëve të Kuvendit votojnë pro tij, në të kundërtën ai është i pavlefshëm.