Thaçi e fton Kurtin në takim më 1 prill

Pasi paralajmëroi se do të nisë konsultimet me partitë politike, presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin – si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit – në takim.

Në letrën që e ka siguruar Klan Kosova, i pari i vendit ka thënë se pas mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë do t’i ndërrmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.

“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë.

Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”.

Thaçi e ka ftuar Kurtin që të takohen më 1 prill në orën 10:00.

Ndonëse presidenti ka thënë se do t’i nisë konsultimet me partitë politike – duke filluar me fituesin e zgjedhjeve – bazuar në Kushtetutë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti po e thotë krejt të kundërtën.

Kurti ka kërkuar që Thaçi të shpallë zgjedhje të reja pasi të mbarojë pandemia Covid-19.

“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë.

Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas kryeministrit në detyrë, ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

“Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues”.