Thaçi e mirëpret emërimin e Skender Hysenit koordinator për dialog

Presdenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka mirëpritur emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë.

Thaçi ka deklaruar se emërimi i Hysenit është produkt i koordinimit ndërshtetëror.

“E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërshtetëror.

Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar presidenti në Facebook.

Sipas tij, Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë “dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike”.

“Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e tij.

Kryeministri Avdullah Hoti sot e ka emëruar Skender Hysenin koordinator shtetëror për dialog.

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Skender Hyseni njëherësh është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërkaq në të kaluarën ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/4060551337348528