Thaçi: Në Washington do të flasim një zëri, ndjehem mirë që do të jem atje me Hotin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ndjehet mirë që në takimin në Washington është pranë kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai në një konferencë për media gjatë ditës së sotme deklaroi se ata në Shtëpinë e Bardhë do të flasin një zëri dhe do të respektojnë vullnetin e qytetarëve Kosovës.

”Do të kemi koordinim të mirë ndërinstitucional.

Kosova ka bartës të institucioneve. Përfaqësues legalë dhe legjitim.

Për të shuar vëmendjen tuaj, përgjegjësitë janë të qarta sipas Kushtetutës së Kosovës”

“Kosova do të përfaqësohet nga një bazë sa më e gjerë politike dhe institucionale”.

“I vlerësoj lartë edhe qëndrimet e z. Veseli nga opozita që ka qenë shumë i qartë për takimin në Uashington ku Kosova duhet të përfaqësohet në mënyrë sa më të dinjitetshme, dhe në të njëjtën kohë të jetë e përgjegjshme në veprime të veta”.

“Do të thotë, për takimin e Uashingtonit është një mbështetje më e gjerë sesa në kuptimin e ngushtë qeveritar.

Unë do të ndihem mirë që do të jem me dhe pranë Kryeministrit Hoti”, ka thënë Thaçi.

Thaçi më tej ka thënë se në takimin e Washingtonit nuk mund të shkojnë dy milionë njerëz përballë dy zyrtarëve të Serbisë, duke thënë se çfarëdo marrëveshje me Serbinë do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.