Thaçi: Të hënën do të fillojë takimet me partitë politike, do të mundohemi t’i evitojmë zgjedhjet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi bëri të ditur se të hënën do të fillojë takimet me liderët e partive politike, për të marrë opinionet e tyre në lidhje me formimin e Qeverisë së re.

Ai tha se do të mundohen që në këtë gjendje në të cilën gjendet Kosova të evitojnë shpërbërjen e Kuvendit.

“Pas krijimit të situatës së re, rënies së Qeverisë dhe mocionit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nga e hëna duke respektuar ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën në tërësi dhe përpikëri, do të filloj konsultimet me liderët e partive politike, gjithashtu edhe me prezantimin e kritereve mbizotëruese për mundësinë e formimit të Qeverisë së re dhe mundësi të reja”, tha presidenti në një deklarim për medie pas vizitës së tij në Qendrën e Studentëve, një pjesë e së cilës është shndërruar në karantinë.

“Fokusi im do të jetë në çdo rrethanë të eliminohet mundësia për zgjedhje të reja apo shpërbërja e kuvendit, propozimi im është të jetë mundësia e krijimit të Qeverisë së re, pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive politike të dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për të formuar Qeverinë e re, në mënyrë që të mos ketë vakum institucional.

Por Qeveria aktuale, në ikje është në detyrë dhe do të kryej punët që i takojnë me Kushtetutën dhe Ligjin”, tha Thaçi.