Tomë Gashi: Hashim Thaçi të japë dorëheqje, u njollos me epitetin e të akuzuarit për krime lufte

Juristi Tomë Gashi vlerëson se me propozimin për aktakuzë nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, janë thyer rregullat e brendshme, por nuk është shkelur ligji.

Gashi në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që megjithatë, Prokuori që e ka lëshuar këtë komunikatë, duhet të japë sqarime në Gjykatë.

“Situata e tanishme është e pazakontë, janë thyer rregullat e brendshme por nuk është shkelur ligji.

Gjyqtari nuk do të duhej të ishte i ndikuar nga kjo deklaratë e Zyrës së Prokurorit Special, e cila është tepër e rëndë, pasi Prokurori prezumon fajësinë e Thaçit dhe Veselit, të cilët janë shënjestër e këtij komunikimi të prokurorisë”.

Gashi ka theksuar se nëntë persona të tjerë të akuzuar nuk i gjejmë në këtë komunikatë.

“Është e qëllimshme, emrat e përveçëm janë bërë publik, qëllimisht dhe nuk mund t’i ikim aspektit politik që tri ditë është supozuar që të mbahet takimi në Washington, tani vihet gjithçka në pikëpyetje”.

Sipas Gashit, pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi, Hashim Thaçi tashmë është njollosur.

“Derisa Gjykata nuk e bjen një vendim për ta aprovuar aktakuzën ose jo, dëmi është veç i krijuar.

Nuk është normale që të kemi një Gjykatë, vetëm kundër një pale ndërlufutese”.

“E gjithë bota e di që presidenti i një shteti të vogël është akuzuar për krime lufte.

Thaçin shpresoj ta lirojnë dhe shpresoj që Gjyqtari mos ta konfirmojë aktakuzën, por njolla tashmë është bërë”.