Trumpi merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi

Presidenti amerikan Donald Trump do të jetë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë të premten, është bërë e ditur në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas njoftimit, Trumpi do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes paradite (sipas kohës në Washington), si dhe do të mbajë më pas një takim trilateral me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E gjithë kjo, sipas programit të Trumpit, pritet të zgjasë shkurt.

Bazuar në agjendë, Trumpi do të takojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në orën 17:00, sipas kohës sonë lokale.

Në 17:05 do të jetë ceremonia e nënshkrimit, ndërsa në 17:15 do të nisë takimi trepalësh.

Njoftimi s’përcakton çfarë marrëveshje do të nënshkruhet, por palët kishin bërë të ditur të enjten se bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike.

Kryeministri i Kosovës kishte thënë se ky është hap i madh drejt marrëveshjes finale, ndërsa presidenti serb kishte shtuar se nuk kanë pranuar pikën e marrëveshjes në të cilën, sipas tij, parashihej njohja e Kosovës.

Ndërkaq nga ndërmjetësuesit amerikanë zhvillimet e së enjtes janë parë si hapa pozitivë në normalizimin ekonomik.