“Turqishtja dhe shqipja kanë mbi 4.000 fjalë të përbashkëta”

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk, ka thënë se janë mbi katër mijë fjalë, shprehje e idioma që përdorën si në shqip ashtu edhe në turqisht.

Yoruk në fjalën përshëndetëse gjatë Konferencës “Turqishtja, gjuha e tolerancës në Ballkan”, që të martën u mbajt në Shkodër, tha se dy vendet ndajnë elemente të përbashkëta gjuhësore, njofton TCH.

“Ne ndajmë elemente të përbashkëta gjuhësore me vendin tonë vëlla Shqipërinë, ku posedojmë një histori të gjatë dhe një prejardhje të gjerë kulturore.

Turqishtja dhe shqipja përmbajnë më shumë se katër mijë fjalë, shprehje dhe idioma të përbashkëta.

Mund të mendohet se kjo shifër e fjalëve të përbashkëta dyfishohet nëse marrim parasysh vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në një pjesë të madhe të gjeografisë së Ballkanit.

Turqishtja ka një histori rreth pesëshekullore në këtë gjeografi”, tha ambasadori turk.

Konferenca në fokus kishte fjalët e përbashkëta dhe pjesëmarrës ishin gjashtë kumtues nga pesë shtete: Turqia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kumtuesit pjesëmarrës në konferencë ishin kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, prof. dr. Gurer Gulsevin, pastaj prof. Lindita Xhanari nga Shqipëria, Leyla Sherif Emin nga Maqedonia e Veriut, prof. dr. Irfan Morina e prof. as. dr. Elsev Birina Lopar nga Kosova si dhe prof. dr. Marija Gjingjiq nga Serbia.

Në fjalimin e tij, drejtori i institutit turk “Yunus Emre” në Shkodër, Zafer Kiyici tha se me shtrirjen osmane në rajon mijëra fjalë turke hynë në gjuhët e Ballkanit.

“Shteti Osman filloi një zhvillim serioz dhe me aktivitete kulturore në rajon në strukturën e tij shoqërore, rendin shtetëror, edukimin dhe filozofinë e pasur të artit.

Bashkëjetesa në më shumë se 500 vite ka prekur çdo fazë të jetës dhe kultura është transferuar përmes koncepteve dhe termave në të gjitha fushat.

Efekti i turqishtes në gjuhët ballkanike nuk është i kufizuar, vetëm në shkëmbimin e fjalëve, proverbat dhe idiomat turke përdoren në rajonin e Ballkanit, identike ose me disa ndryshime tingujsh, ose duke u përkthyer në gjuhën përkatëse.

Përveç kësaj, ne përballemi me fjalë turke në poezi, këngë popullore, madje edhe në këngë popullore që të rinjtë nuk i lënë sot nga gjuha e tyre”, ka thënë ai.