Vazhdon lobimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, peticioni i dërgohet edhe Macronit

Rreth 16 mijë qytetarë deri më tash kanë nënshkruar peticionin për heqjen e vizave për Kosovën, të cilin e ka iniciuar ditë më parë, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger.

Të dhënat i ka konfirmuar për Telegrafin vet Shchneeberger.

“Deri më tani kemi mbledhur 15,711 nënshkrime”, ka deklaruar këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian e cila ka treguar edhe lëvizjet e reja në këtë drejtim.

“Sot i dërgova një email Presidentit francez Emmanuel Macron, Presidentes së Komisionit Evropian Urasula von der Leyen, Presidentes së Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, lidhur me nënshkrimet”.

Ajo ka njoftuar se dy javë më parë iu ka dërguar poashtu email të gjithë 705 eurodeputetëve.

“Sot organizova me asociacionin tim një takim në “Heldenplatz” në Vjenë për hapat e ardhshëm në zgjerimin e BE-së.

Një pikë e rëndësishme ishte liberalizimi i vizave për Kosovën dhe njohja e 5 anëtarëve të fundit të BE-së”, ka thënë ndër të tjera për Telegrafin Kati Shchneeberger.

Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, javë më parë ka nisur një peticion online për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Mos e izoloni Kosovën.

Tani është koha.

Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës si për qytetarët e BE-së.

Të drejta të barabarta për të gjithë evropianët”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Ndërkaq, iniciativa e nisur në change.org, është përkrahur edhe ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Kujtojmë ditëve të fundit është folur për lëvizje pozitive në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Disa burime diplomatike të Bashkimit Evropian thonë se “Franca ka dhënë sinjale”, se pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, që do të mbahen më 19 qershor, “mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Marrë parasysh se ky vend ka qenë kundërshtari më i madh në BE i liberalizimit të vizave për Kosovën, sinjalet prej tij shihen si shenja optimiste se heqja e vizave për kosovarët do të ndodhë “shpejt”./Telegrafi/