Veliu hedh akuza ndaj Abdixhikut për shkarkimin nga dega e LDK-së në Podujevë – vendimin e quan joligjor dhe të pavlerë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në mbledhjen e Kryesisë, ditë më parë mori vendim që Agim Veliu të shkarkohet nga kreu i degës së LDK-së në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi të dielën ka reaguar Veliu.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kryesia Qendrore e LDK-së marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, pasi ka caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë.

Vendimi për shkarkimimin thotë se nuk i është kumtuar atij por është informuar përmes mediave.

“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave.

Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë”, tha Veliu.

Tutje ka hedhur akzua ndaj kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku, duke thënë se po luan lojë të ndyrë.

“Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023””, u shpreh ai.

Sipas tij sado që dikush nga Kryesia u përpoq ta mohojë se ky vendim i paligjshëm e shkarkon Kryetarin e Degës, vetë teksti i vendimit i demanton diletantët e tillë politikë, të ulur në tavolinën e Kryesisë së LDK-së.

“Të gjitha kompetencat e udhëheqjes së degës së LDK-së në Podujevë, i kalojnë kandidatit të LDK-së.

Kandidati udhëheqë me Kryesinë e degës, zyrën e degës dhe bashkërendon aktivitetet me kryetarët e nëndegëve në Komunën e Podujevës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Abdixhiku.

“Madje, me këtë vendim skandaloz mëtohet t’i merren kompetencat, jo vetëm Kryetarit, por edhe Kryesisë së Degës, e cila defaktorizohet plotësisht sipas nenit 4 të këtij vendimi, lidhur me formësimin e listës për asamble komunale”, thotë Veliu.

Më tej shkruan se një vendim i tillë jo legjitim, i atyre që e votuan dhe atij që e nënshkroi, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse një atak i rëndë ndaj degës më të suksesshme në të gjitha proceset zgjedhore të pasluftës në Kosovë.

Sipas Veliut, as Kryesia e LDK-së dhe as kryetari i saj nuk mund të shkarkojnë as emërojnë një kryetar dege të zgjedhur në procese të rregullta zgjedhore nga Kuvendi i Degës./telegrafi