Vitia lut qytetarët të mos dalin nëse nuk e kanë të domosdoshme, thotë se sot do të rishikojnë orarin e lëvizjes së lirë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ka bërë edhe njëherë të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë brenda, madje edhe në kohën kur lejohet lëvizja, përveç rasteve kur kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ose për tu furnizuar.

Vitia në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Zyrën e Ankesave”, të RTV Dukagjinit ka thënë se edhe sot do të kenë një takim me ministrat e tjerë, në mënyrë që të shqyrtojnë edhe njëherë sesi të ndryshojnë orarin e lëvizjes, kjo pasi në këto orët kur lejohet dalja jashtë, kanë filluar të krijohen tollovi.

“Dje kemi pasur një takim me z. Svecla, sot kemi edhe me ministrat e tjerë në ora 15:00, ku do të shohim si të reagojmë dhe si të marrim masa të reja.

Por, si institucion mund të shohim se cila është më e mira, prandaj do të bëjmë edhe një takim për të parë sesi do të reagojmë.

E shfrytëzoj rastin të bëj apel, edhe kur janë orët kur mund të lëvizni, mos dilni pa pasur një domosdoshmëri, qoftë për tu furnizuar, qoftë për ndonjë ndihmë mjekësore, përndryshe po e përsëris prapë atë që ka thënë profesori Ramadani ‘virusi nuk ka këmbë, ne i japim këmbët virusit për të dal jashtë’, e pastaj e sjellim edhe të familjarët”, tha Vitia.

Ministri i Shëndetësisë ka lutur të gjithë qytetarët që të tregohen solidar më njëri-tjetrin, me veten e familjarët, sepse siç tha ai mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë situatë është qëndrimi në shtëpi.

“Tani është koha të tregohemi solidar për shëndetin e njëri-tjetrit.

Ju lutem, ju lutem qëndroni në shtëpi, edhe në orët kur lejohet lëvizja, mos dilni, mos dilni, ruajeni shëndetin tuaj e të familjarëve tuaj.

Për momentin është mënyra e vetme qëndrimi në shtëpi, për ta tejkaluar këtë”, ka thënë Vitia.