Vjosa: Hoti punoi prapa shpinës sime për qeveri me AAK’në dhe Nismën

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani thotë se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është planifikuar menjëherë pas zgjedhjeve të tetorit.

“Kjo qeveri është plan, nuk është pasojë.

Së paku unë e kam vërejtur nga 6 tetori e tutje.

Mund të ketë pasur edhe më herët”, tha ajo.

“Absolutisht dhe ka pasur plan dhe pastaj ka pasur veprime intensive ku edhe vetë z.Hoti, së paku nga ajo që më kanë treguar deputetë të LDK’së, në kohën kur ne negocionim me Vetëvendosjen ai fliste me deputetë të LDK’së dhe ju thoshte që kjo do të dështojë, ne do të shkojmë në një qeveri LAN, dhe kërkonte votën e tyre”, shpjegoi Osmani.

Sipas saj, qysh në janarin e këtij viti, Hoti u ka kërkuar votën deputetëve të LDK’së për një qeveri me AAK’në dhe Nismën.

“Më konkretisht në muajin janar do të thotë vazhdimisht takohej me deputetë të LDK’së dhe këtë ma kanë thënë vetë deputetë të LDK’së.

Këtë e dijnë mirë shumë njerëz që janë aktualisht ministra”, tha Osmani në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

“Nuk është etike që të mos kandidosh në zgjedhje dhe pastaj prapa shpinës së kandidatës për kryeministre përderisa ne negocionim me një partner tjetër të shkosh te deputetët e LDK’së dhe tu kërkush atyre votën për një qeveri tjetër ku ti je kryeministër.

Së paku lufto nërsy, puno nërsy, mos u pajto nërsy”, theksoi Osmani.