Vjosa Osmani: Nuk është e vërtetë që kam blerë në kohë pandemie

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të lajmit që ka blerë tokë në vlerë 100 mijë euro.

Osmani ka thënë që analistë e media të caktuara janë duke publikuar propagandë kundër saj me qëllim të arsyetimit të atyre që vërtetë kanë vjedhur, ndërsa ka paralajmëruar ndaj shpifjeve të tilla do të ndërmerren hapat ligjor.

“Tek këta ‘analistë’ e portale do të shihni titullin ‘Vjosa Osmani blenë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie.

KJO NUK ËSHTË E VËRTETË”, është shprehur ajo.

“Nuk është blerë tokë në kohë pandemie. Deklarimi i pasurisë është i viti 2019.

Pas njëzet vjet pune në Kosovë, Shtete të Bashkuara e ne Australi, si dhe me kredi të shumta, unë e bashkëshorti im kemi arritur të kursejmë për të kontraktuar një shtëpi, e cila akoma është në ndërtim e sipër.

Ajo shtëpi është kontraktuar në vitin 2019, PRA JO NË KOHË PANDEMIE”.

Osmani ka theksuar bashkëshorti dhe dy vajzat jetojnë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë ku nuk i plotëson as kushtet bazike për një familje katër anëtarëshe.

“Kërkoj nga të gjitha mediat që ta largojnë këtë shpifje nga portalet e televizionet e tyre dhe të publikojnë demantin tim.

Gjithashtu kërkoj nga analistët që më quajtën kriminele, hajn, abuzuese e çka jo tjetër, të tërheqin shpifjen, të kërkojnë falje dhe të publikojnë demantin.

Natyrisht që nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të jem e detyruar që të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të mbrojtur integritetin tim dhe të familjes sime.

Pikërisht duke i futë të gjithë me një thes (ata që abuzojnë me pushtet e bëhen milionerë brenda natës si dhe ata që punojnë me mund, me djersë e me kredi, pa abuzuar) ju që sot shpifët po u hapni rrugë e po i arsyetoni ata që kinse i kritikoni për krim e korrupsion”.