Vuçiq poston foto nga darka me Ramën në Beograd: Miqësia jonë është për të ardhmen e tërë rajonit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, kanë darkuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Kjo u bë e ditur nga Vuçiq, i cili ka postuar një fotografi në llogarinë e tij në Instagram duke darkuar.

Darka e punës i paraprin takimit të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që do të mbahet të enjten.

“Mbrëmje e jashtëzakonshme me miqtë nga rajon, Edi Rama, Zdravko Krivokapiq dhe Nikola Dimitrov.

Ana Bërnabiq dhe unë i pritëm mysafirët tanë me verë serbe të shkëlqyer, të cilët ne guxojmë që ta krahasojmë me verërat më të mira franceze.

Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Vuçiq.

Agjenda e takimit në Beograd, gjatë ditës së entje

Takimit Rama-Vuçiq-Dimitrov do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Takimit do t’i bashkohen edhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Këshilli Atlantik.

Sipas agjencisë së lajmeve MIA, në Shkup është njoftuar se përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të diskutojnë për lehtësimin e tregtisë, ndërsa do të mbahet edhe një diskutim me temën: “Transformimi digjital si bazë për informimin rajonal”.

Është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e të tre zyrtarëve./Telegrafi/