Vuçiq takohet me Lajçakun, thotë se e preferon BE’në e jo SHBA’në si ndërmjetësues të dialogut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar sot një takim kokë më kokë në Beograd, ku kanë konfirmuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Pas takimit kokë më kokë, siç raporton ‘Blic.rs’, presidenti serb ka thënë se me emisarin e BE-së, kishte një takim të mirë përgatitor.

“Faleminderit Lajçakut për vizitën.

Kishim një takim shumë të mirë përgatitor.

Serbia plotësisht e përkrah dialogun, i cili duhet të zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së.

Pres që dialogu të vazhdojë në një afat sa më të shkurtër, ka mundësi qysh në korrik.

I respektoj përpjekjet e Richard Grenellit për bashkëpunimin mes Prishtinës dhe Beogradit, por për neve nuk ka asnjë dilemë dhe jemi të përkushtuar për dialog nën përkujdesjen e Bashkimit Europian”, ka thënë Vuçiq.

“Ne e kuptojmë se Lajçak, me autoritetin, dijen dhe përkushtimin e tij, mund të garantojë objektivitetin dhe paanshmërinë në atë proces.

Ne nuk mund të bisedojmë nëse e vetmja kërkesë është që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq dhe shtoi se Lajçak vendos për datën për vazhdimin e dialogut.

Vuçiq nuk e përjashtoi mundësinë që të shkojë në Bruksel midis vizitave në Moskë dhe Uashington, sepse, siç theksoi ai, kjo është e rëndësishme për shkak të së ardhmes evropiane të Serbisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk mund të zbulojë detajet e bisedës me Lajçakun, por tha se “mesazhi kryesor ishte që ne mund t’ia afrojmë të ardhmen evropiane Serbisë, nëse do të ishim të përkushtuar”

Lajçak falënderoi Vuçiqin për gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

“Ai e kupton sa e rëndësishme është kjo për këtë popull.

Unë pres që dialogu nën kujdesin e BE-së të vazhdojë në korrik në Bruksel.

Serbia është pjesë e Evropës, problemet tuaja janë problemet tona dhe zgjidhjet tuaja janë zgjidhjet tona.

Rruga e Serbisë për në BE është e lidhur ngushtë me këtë dialog”, tha Lajçak.

Para shkuarjes në Serbi, diplomati sllovak qëndroi për vizitë treditore në Kosovë, ku u takua me përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike, për të diskutuar në lidhje me vazhdimin e dialogut.