Xhemajl Rexha zgjidhet kryetar i AGK-së

Xhemajl Rexha është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Në kuvendin e sotëm zgjedhor, Rexha mori 171 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Arton Mulliqi 143.

Derisa, votat për anëtarë të bordit do të bëhen publike më vonë.

Kryetari i ri i AGK-së, duke i treguar prioritetet e tij, tha se do të punojë për ta ruajtur dinjitetin e gazetarëve dhe promovuar punën e tyre.

“Është një nder i jashtëzakonshëm që të jem në krye të këtij asociacioni dhe shpresoj që të punojmë bashkë për të ruajtur dinjitetin e gazetarëve për të promovuar punën e tyre në mënyrën më të mirë, për të ruajtur lirinë e medias, lirinë e shprehjes, në një kohë posaçërisht sfiduese në Kosovë në të cilën po kalojmë aktualisht dhe besoj që duke qenë bashkë, duke e përkrahë njëri tjetrin mund të çojmë përpara punën tonë.

Pres bashkëpunim edhe nga kundërkandidati të cilin e falënderoj për garën korrekte që kemi pasur dhe besoj, siç e thashë, bashkë me bordin e ri të nisim punën në kontakte të përditshme qe të bëjmë më të mirën në mënyrë që gazetarët të kenë vendin që e meritojnë në shoqëri”, tha ai.

Ndërkohë, ish kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli tha se gjatë mandatit të saj janë bërë shumë të arritura në mbështetje të gazetarëve.

Në votimin e kryetarit të ri morën pjesë rreth 300 anëtarë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.