Zyrtari britanik flet i emocionuar për Kosovën: Më kanë pritur ngrohtësisht, është vend i mundësive

Komisioneri i Tregtisë për Evropën në Britaninë e Madhe, Chris Barton, këtë javë po qëndron në Kosovë, për herë të parë.

Përmes një videoje e cila është publikuar nga ambasada britanike në Prishtinë, ai ka treguar përshtypjen e tij për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Teksa flet i emocionuar, Barton thotë se në Prishtinë i është ofruar mikpritje e ngrohtë si nga autoritetet ashtu edhe nga bizneset, ndërsa shton se Kosova është vend ku ka shumë mundësi.

“Mirë se vini në Prishtinë, që është kryeqyteti i Kosovës, ku jam pritur me një mirëseardhje shumë të ngrohtë, nga autoritetet kosovare, bizneset kosovare dhe bizneset e Mbretërisë së Bashkuar që investojnë këtu, dhe është një vend shumë emocionues”, thotë ai.

“Unë mund ta ndiej dinamizmin e vendit, është një vend i ri që është pavarësuar pak më shumë se 14 vjet më parë dhe kudo që shikoj, mund të shoh ndërtime të reja dhe shumë biznese që po bëhen”.

“Tani arsyet gjithashtu për të qenë shumë i emocionuar janë edhe për mundësitë këtu, mundësitë e veçanta në fushat e minierave, në aspektin e energjisë së rinovueshme, në aspektin e infrastrukturës, në aspektin e shërbimeve financiare dhe profesionale, të gjitha fushat ku Britania e Madhe ka shumë për të ofruar”. /Telegrafi/