Zyrtarja e huaj: Gratë mund të mbesin shtatzëna nëse notojnë bashkë me burrat

Një zyrtare e lartë për mbrojtjen e fëmijëve në Indonezi po përballet me kërkesa për dorëheqje pasi raportohet të ketë pretenduar se gratë mund të mbesin shtatzëna nëse notojnë dhe lahen në të njëjtën pishinë me burrat për shkak të një lloji të fuqishëm të spermës.

Sitti Hikmawatty, kryetare e Komisionit për Mbrojtje të Fëmijëve, e dha këtë deklaratë gjatë një interviste për faqen lokale të lajmeve, Tribun Jakarta.

“Ekziston një lloj jashtëzakonisht i fuqishëm i spermës që mund të shkaktojë shtatzëni në pishinë.

Edhe pa penetrim, burrat mund të ndiejnë tërheqje seksuale dhe të ejakulojnë, duke shkaktuar kështu shtatzëni”, raportohet të ketë thënë kjo zyrtare.

“Nëse gratë ndodhen në fazën kur janë seksualisht aktive, një lloj i këtillë i shtatzënisë mund të ndodhë.

Askush nuk e di saktësisht si reagojnë burrat ndaj shikimit të grave në një pishinë”, kishte shtuar ajo.

Ndaj kësaj deklarate kundërthënëse ka reaguar kryetarja e Shoqatës Indoneziane të Mjekëve, e cila ka thënë se një shtatzëni e tillë është e pamundur të ndodhë, shkruan “Independent”.

Ajo tha:

“Uji i pishinave përmban klor dhe elemente të tjera kimike.

Sperma nuk mund të mbijetojë në këto kushte.”