Web Analytics

Osmani pret delegacionin belg: Synimi i Kosovës është që anëtarësimi në Partneritetin për Paqe t`i paraprijë atij në NATO

Botuar nga: InfoKosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të premten në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Mbretërisë së Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Theo Francken.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin e Belgjikës në misionin e NATO-s dhe partneritetin e saj me Kosovën.

Në këtë kontekst, ajo potencoi se synimi i Kosovës është që anëtarësimi në Partneritetin për Paqe t`i paraprijë atij në NATO dhe se ʺkëta hapa kontribuojnë në stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonitʺ.

Ajo tutje u shpreh se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj si partnere në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

ʺNjë pjesë e takimit iu kushtuar edhe mundësive të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe fusha të ndryshme me interes të përbashkëtʺ, thuhet në komunikatën për media.

Të FUNDIT