Web Analytics

Tahiri udhëton drejt Parisit për raportin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Nevojiten 27 vota për miratim

Botuar nga: InfoKosova

Më 27 mars në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka njoftuar se është duke udhëtuar për në Paris.

Tahiri ka shkruar se atje po shkon si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës, ku do të diskutojnë çështje tematike të Komitetit.

“Jam rrugës për Paris, ku si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës do të diskutojmë çështje tematike të Komitetit por edhe do të kam takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Ai ka deklaruar se këtë javë janë dy momente me rëndësi, derisa ka theksuar se për t’u votuar raporti duhen votat e 27 deputetëve.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, ka shkruar Tahiri.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. /Telegrafi/

Të FUNDIT