Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar me forcë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë e cila refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Krasniqi ka theksuar se “ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta”.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për atë se si veprimet e Gjykatës mund të ndikojnë në perceptimin e drejtësisë në Kosovë dhe jashtë saj.
“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai theksoi rëndësinë e historisë në formimin e identitetit kombëtar. “Historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri. E vërteta përvuajtur qëndron mbi çdo gjyq dhe pretendim”, theksoi ai.
“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre”, u shpreh ai në një postim të tij.
Krasniqi tha se krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme përjetësisht. “Dielli do të lind përsëri për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, shtoi ai.
Vendimi i trupit gjykues në çështjen ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodh në një kontekst të brendshëm dhe ndërkombëtar të tensioneve politike dhe shqetësimeve në lidhje me drejtësinë që nuk është e lehtë të kuptohet plotësisht nga publiku.
Trupi gjykues ka marrë vendim për rrëzimin e mocionit të përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Trupi gjykues nuk është bindur që mocioni mund të rrëzojë pjesë të caktuara të aktakuzës. “Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullit 130 në tërësinë e vet, duke marrë parasysh sa më lart, trupi gjykues nuk është e nevojshme të shkojmë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa i takon periudhës së fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jo kombëtar”, theksoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Kjo situatë ka kaluar nëpër një proces të gjatë dhe të vështirë ligjor që ka zgjuar interesa dhe reagime të shumta, jo vetëm në Kosovë.