Deputetja e Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar ashpër pas një incidenti të rëndë që ndodhi sot, ndërsa ishte duke qëndruar në një lokal, ku një qytetar i afrohet dhe e ofendon duke e akuzuar se është “hajneshë”.
Deputetja thekson se sulmi nuk ishte spontan.
Videoja e incizuar, e cila po qarkullon në rrjetet sociale, sipas saj, është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat qenë të pranishme në vendngjarje.
“Sot, në ambientet e lokalit ‘Home’, u përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ ka një të kaluar të dhunshme dhe njihet si i tillë nga autoritetet. Sulmi nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar. Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij”, thotë Pacolli.
Ajo theksoi se videoja në fjalë nuk është e plotë.
“Kjo video është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin e tij ndaj meje. Një pjesë e rëndësishme e incidentit, momenti kur agresori sulmon fizikisht asistentin tim, nuk është e dukshme. Po ashtu, përmendi tentativën e tij për të futur dorën në çantën që mbante, e cila potencialisht mund të kishte pasur armë”, shtoi deputetja.
Pacolli gjithashtu ka përmendur se incidenti kishte dëshmitarë të drejtpërdrejtë.
“Dëshmitarë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë veten Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë. Disa portale, ‘gazetarë’ dhe ‘analistë’, të financuar nga oligarkë, kanë tentuar ta portretizojnë këtë sulm si një akt të heroizmit, duke mbrojtur agresorin”, deklaroi ajo.
Pacolli reagoi gjithashtu ndaj tentativës për të deformuar të vërtetën nga ata që përkrahin dhunën.
“Këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale. Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Do të vazhdoj rrugën time të drejtë, dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet”, tha deputetja.
Ndryshe, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përballë kësaj situate të padrejtë, njoftoi se Policia tashmë ka filluar hetimet ndaj personit të dyshuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës tha se ndaj tij është iniciuar një hetim për veprën penale “Kanosja”.
“I dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar një hetim dhe është proceduar i lirë”, tha ai.
Një incident i tillë, që ndodh në një vend publik, ngre shqetësime të mëdha për sigurinë e individëve, veçanërisht për ata që angazhohen politikisht.
Pacolli thekson se ndjenjat e urrejtjes dhe dhunës po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në jetën politike të vendit.
“Këto incidente krijojnë frikë dhe pasiguri, ndërsa ne si shoqëri duhet të punojmë për të reduktuar tensionet dhe për të promovuar një debat konstruktiv”, përfundoi ajo.