Web Analytics
E martë, 19 Gusht, 2025
23.3 C
Pristina

Cila është e ardhmja e Kuvendit të Kosovës? Reagimi i LVV ndaj vendimit të Kushtetueses

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësim të thellë pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar këtë vendim si një tejkalim të juridiksionit dhe një rrezik për demokracinë në Kosovë.

Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, LVV thekson se vonesa prej 10 ditësh në publikimin e vendimit tregon për një pamundësi të Gjykatës për të justifikuar një vendim që ata e quajnë “arbitrar” dhe të paarsyeshëm.

“Gjykata ka krijuar një rregull të ri, përtej kompetencave të saj, duke u mbështetur në arsyetim të ngushtë që buron nga tejkalimet që i ka lejuar vetes”, thuhet në reagimin e Lëvizjes.

LVV thekson se vetë Gjykata e ka pranuar se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke rrëzuar kështu “zhurmën opozitare” që pretendonte të kundërshtonte këtë praktikë.

Megjithatë, sipas Vetëvendosjes, paragjykimi për mungesë konsensusi politik, pa u hedhur asnjëherë çështja në votim, është një mbështetje për subjekte bllokuese dhe një rikthim në ngërçin e deritanishëm.

Sipas reagimit të LVV-së, Gjykata ka përdorur analogji të paqëndrueshme me zgjedhjen e Presidentit, ku Kushtetuta përcakton qartë raundet e votimit dhe pasojat e moszgjedhjes.

LVV e konsideron këtë si një “përdorim të frazave të opozitës, veçanërisht të PDK-së”, dhe paralajmëron se Gjykata po përgatit terrenin që, pas skadimit të afatit 30-ditor, e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit t’i kalojë ndonjë partie tjetër.

“Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane apo botërore dhe nuk kërkoi mendime nga gjykatat homologe për krahasueshmëri rastesh, duke e bërë këtë një rast të paprecedentë”, përfundon reagimi i LVV-së.

PROMO

Nga Rubrika