Modelja e njohur shqiptare, Arbenita Ismajli, ka ngritur një shqetësim të rëndësishëm në rrjetet sociale, duke e bërë publik këtë fakt në Instagram.
Ajo ka ndarë një fotografi që tregon se ka arritur mbi 10.6 milionë shikime në 30 ditët e fundit, por numri i pëlqimeve është dukshëm më i ulët, duke ngjallur pyetje mbi ndjeshmërinë e përdoruesve.
Arbenita shprehu dyshime se mund të jetë vetë platforma e Instagramit që po i bën padrejtësi, ose ndoshta ata që e kritikojnë nuk po e shprehin pëlqimin e tyre në mënyrë të dukshme.
“A është Instagrami që po më bën padrejtësi duke mos reflektuar numrin e pëlqimeve në përputhje me këto ndërveprime, apo janë ata që më urrejnë që nuk po e klikojnë butonin e zemrës?”, ka shkruar ajo në postimin e saj.
Ndërkohë, Arbenita po përballet me një situatë të vështirë ligjore, e cila e ka bërë edhe më të komplikuar këtë moment për të.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj saj, pas hetimeve që kanë nisur që në muajin qershor.
Arbenita dyshohet se ka shkelur një vendim gjykate që lidhet me takimet e vajzës së saj me babanë biologjik, Feronit Shabani, duke penguar realizimin e marrëveshjes së vendosur.
Sipas aktvendimit, Shabani kishte të drejtë të takonte vajzën dy herë në muaj, por pretendimet janë se Ismajli ka bërë pengesa në këtë proces, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar për të.