E enjte, 3 Tetor, 2024
21 C
Pristina

Abdixhiku komenton të dyshuarit për afera gjatë Qeverisë Kurti dhe reagimet e presidentes Osmani

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku po akuzon kryeministrin Albin Kurti se po mbron, siç i quan ai ‘të korruptuarit’ gjatë qeverisjes së tij. Ndërsa, presidenten Vjosa Osmani e kritikoi për reagime të vonshme në lidhje me rastin e ambasadorit Martin Berishaj.

Abdixhiku, kandidat për kryeministër, tha se dallimi thelbësor mes tij dhe kryeministrit Kurti është që ky i fundit udhëheqë një Qeveri më përplot të korruptuar dhe të njëjtit i mbron.

“Ke një kryeministër që e mbron këtë të korruptuarin. Unë i kam diku 9 mijë 781 kryetarë e anëtarë të kryesive të LDK-së. Nuk garantoj që ndonjëri prej tyre edhe nuk vjedh, por ju garantoj një gjë që do ta ballafaqoj publikisht i pari unë. Do ta distancoj dhe dënoj faktin që mundin tim dhe të bashkëpunëtorëve të mi ta keqpërdor dikush”- tha Abdixhiku në një intervistë në emisionin “KallxoPërnime” i transmetuar në Tv Dukagjini.

Ndërsa, reagimin e presidentes Osmani në lidhje me këtë rast, Abdixhiku e quajti të vonshëm.

“Reagim i vonshëm për besë. Ma mirë vonë se kurrë, ama i vonshëm”- tha ai.

Presidentja Osmani në emisionin “Kallxo Përnime”, më 08.09.2024, deklaroi se nuk e ka ftuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar në Kroaci.

Ajo tha se në raste të tilla, sipas saj, më e mira është që ai të largohej vetë nga pozita.

“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheqë vetë”- u shpreh ajo.

Më 29.03.2024, ambasadori Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda.

Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.

Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

Në lidhje me korrupsionin, ndër të tjera, Abdixhiku tha se gjatë qeverisjes Kurti janë dhënë 272 milionë euro tenderë sekretë.

“Tenderi sekret është kur ulemi unë dhe ti, unë jam ministër ose kryeministër ose zyrtar që menaxhoj pare edhe ti biznes edhe merremi vesh në katër sy sa pare me t’i jep shteti ty, pa garë, pa konkurrim, pa prokurim”- tha ai.

Në një rast tjetër që Abdixhiku pretendoi për korrupsion është për një tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas tij, kjo ministri e ka një tender për antivirus për siguri të informacionit, që njëherë kanë qenë katër kompani konkurruese për vlerën e tenderit 9 milionë euro, e më pas “kur kanë ardhë në pushtet e kanë anulu tenderin e janë ulë e kanë negociou për 15 milionë euro me një firmë të Shqipërisë”.

Nga Rubrika