Kur një nënë bëhet me fëmijë të dytë, askush nuk të paralajmëron për dhimbjen që nuk lidhet me trupin, por me shpirtin.
Këtë ndjesi e ka përshkruar në mënyrën më të ndjerë këngëtarja Aida Doçi, e cila është bërë nënë për herë të dytë dhe ka ndarë me publikun një mesazh që i ka prekur të gjithë.
“Kur lindi fëmija im i dytë, nuk e prisja që të më dhimbte kaq shumë… jo trupi, por zemra.”
Në një rrëfim të rrallë dhe emocional, Aida tregon se si ballafaqohet me ndryshimin e ndjenjave që e kaplojnë papritur. Shikon sytë e vajzës së parë, që tani duken më të mëdhenj, por për të ajo është ende e vogël.
“Ajo është ende ajo që më bëri nënë për herë të parë. Dhe befas, më duhej të ndaja veten mes dy dashurive.”
Aida pranon se nuk është xhelozia e vajzës së saj që e lëndon, por ndjesia se nuk mund të jetë më njësoj vetëm për të. “Më dhemb sa herë më pret. Sa herë më shikon pa folur. Ajo nuk e thotë, por e ndjej. Dhe unë ndihem fajtore.”
Por përmes gjithë kësaj përplasjeje emocionale, vjen edhe një kuptim i ri – një e vërtetë që vetëm një nënë mund ta zbulojë me kaq thellësi: “Zemra ime nuk është ndarë. Zemra ime është zgjeruar.”
Në fund, Aida i drejtohet vajzës së saj të parë me fjalë që do mbeten në kujtesë të çdo nëne që ka kaluar nëpër të njëjtin udhëtim:
“Unë nuk të dua më pak, bijë. Unë thjesht po mësoj si të të dua ndryshe – tani ti je motra e madhe. Por për mua… ti do jesh gjithmonë bebushi im i parë.”
Postimi mbyllet me një dedikim të shkurtër por të thellë: Të dua shumë, Aina.
Me këtë rrëfim, Aida Doçi nuk ndau vetëm një ndjesi të sajën, por preku një plagë të heshtur të çdo nëne – fajin, dashurinë, ndarjen emocionale… dhe fuqinë e zemrës që, në vend që të ndahet, vetëm zgjerohet.