Imazhi i Massimiliano Allegrit i lagur me shampanjë duke festuar me Ibrahimovic në fushën e “Olimpico” është pikërisht ajo që tifozët e Milanit shpresojnë ta jetojnë sërish, sapo përmendet mundësia e një rikthimi të teknikut nga Livorno në stolin kuqezi.
Ishte maji i vitit 2011 dhe Milani sapo kishte fituar titullin e 18-të në Serie A, falë taktikave të Allegrit, por edhe magjive të Robinho, Boateng e të tjerëve. Ai ishte kulmi i aventurës së Allegrit me Milanin, një marrëdhënie që pas sezonit të parë nisi të përkeqësohej, sidomos pas humbjes së titullit ndaj Juventusit, dhe që përfundoi me shkarkimin e tij në janar 2014.
Sot, 11 vite pas asaj ndeshjeje të mjegullt kundër Sassuolos, të humbur 4-3, Allegri shihet si njeriu i duhur për të nxjerrë “Djallin” nga ferri i tij aktual: vendi i tetë në kampionat, humbja në finalen e Kupës së Italisë dhe moskualifikimi për në Europë. Në pritje që ky rikthim të konkretizohet, le të rikujtojmë periudhën e tij të parë në krye të Milanit:
SEZONI 2010-2011: TITULLI KAMPION QË NË DEBUTIM
Në qershor 2010, Massimiliano Allegri u prezantua si trajneri i ri i Milanit, i marrë nga Cagliari për të zëvendësuar Leonardon dhe “fantazinë 4-2”, e cila prodhoi spektakël, por jo rezultate. Pavarësisht largimeve të shumta, drejtuesit e Milanit arritën t’i sillnin dy emra të mëdhenj në orët e fundit të merkatos: Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho, që më pas u shndërruan në shtyllat e suksesit.
Allegri fitoi menjëherë titullin në sezonin e tij të parë, më 7 maj 2011, dy javë përpara fundit të kampionatit, pas një barazimi pa gola në fushën e Romës, mes festës me shampanjë. Ai ndryshoi modul nga 4-3-3 në një sistem me trekuartist pas dy sulmuesve. Kevin-Prince Boateng pas Ibrahimovic dhe Robinho, një lëvizje taktike vendimtare që ndryshoi gjithçka.
2011–2014: POZITA E TIJ NISI TË LËKUNDEJ
Në dy sezonet e ardhshme pas titullit, Milani i Allegrit fitoi vetëm një Superkupë të Italisë në verën e vitit 2011 kundër Interit. Marrëdhënia e trajnerit me tifozët nisi të lëkundej, me ndasi që vazhdojnë ende sot kur përmendet rikthimi i tij.
Sezoni 2011/12: Allegri e çoi Milanin deri në çerekfinale të Champions League, duke mundur Barcelonën 2-0 në “San Siro”, por u eliminua në “Camp Nou”. Në Serie A, humbi titullin ndaj Juventusit në sezonin e famshëm të “golit fantazmë” të Muntarit.
Verën e vitit 2012, Milani u detyrua të bënte revolucion. U larguan legjendat (Nesta, Gattuso, Inzaghi) dhe u shitën yje si Ibrahimovic e Thiago Silva, për të përmirësuar financat.
Sezoni 2012/13: Filloi në mënyrë katastrofike, por me mbërritjen e Mario Balotellit në janar, skuadra shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit dhe përfundoi në vendin e tretë.
Sezoni 2013/14: U shënjua nga kaosi dhe rezultatet negative. Allegri u shkarkua në janar 2014, pas humbjes 4-3 kundër Sassuolos.
“PALMARESI” I ALLEGRIT TE MILANI
Në tri sezone e gjysmë në krye të Milanit, trajneri livornez fitoi:
🏆 1 titull të Serie A (2010/11)
🏆 1 Superkupë Italiane (2011)
🥈 Vend i dytë në Serie A
🥉 Vend i tretë në Serie A
Rikthimi i mundshëm i Allegrit sot shihet si një kthim te “rrënjët”, për të ndërtuar nga e para një Milan konkurrues. Megjithatë, tifozët janë të ndarë: nga njëra anë nostalgjia për sukseset, nga ana tjetër frika nga kthimi në një futboll më pak spektakolar.