Web Analytics

Analistët ndërkombëtarë: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi i vështirë, po përdoren standarde të dyfishta

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar për përgjegjësitë që dalin nga plani franko-gjerman për të dyja vendet.

Takimi vjen pasi udhëheqësit gjerman, francez dhe italian qartësuan pritshmëritë e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe pas kritikës së Komisionit Evropian drejtuar palëve për mungesë përkushtimi ndaj këtij procesi. Por, njohësit e zhvillimeve mes dyja vendeve thonë se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës vetëm është ashpërsuar dhe se nëse nuk ka një strategji afatgjatë për zgjidhje të qendrueshme mes dy vendeve, trysnia e perëndimit nuk do të sjellë ndonjë ndryshim.

Në prag të një takimi të ri ndërmjet negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, njohësit e zhvillimeve mes dy vendeve shohin një sërë mangësish në qasjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve të tyre për të nxitur Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të një marrëveshjeje në bazë të modelit të paraqitur nga negociatorët ndërkombëtarë.

Jolyon Naegele, ish zyrtar i OKB-së në Kosovë dhe koordinatori i parë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të UNMIK-ut në vitin 2003, në një intervistë për Zërin e Amerikës kritikon bashkësinë ndërkombëtare që në 20 vitet e fundit nuk ka ofruar zgjidhje afatgjata.

“Ekziston një standard i dyfishtë në politikën e Shteteve të Bashkuara si dhe në politikën e disa shteteve të Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën dhe Serbinë… Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë ata që ishin të pranishëm në Kosovë në 20 vitet e fundit, vazhdimisht kanë dështuar të bëjnë parashikime afatgjata dhe të kuptojnë se çështjet me të cilat po përballen nuk do të zhduken por vetëm sa do të acarohen nëse mbesin të pazgjidhura,” thotë ish zyrtari i lartë i UNMIK-ut Naegele.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit Westminster, Aidan Hehir gjithashtu konsideron se rajoni është i paqartë se cilat janë synimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, në kushtet e ndryshmit të situatës gjeostrategjike, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë përqëndruar përpjekjet tek afrimi i Serbisë me Perëndimin.

“Kjo nënkupton t’i kërkohet Kosovës të bëjë një mori lëshimesh Serbisë… I tërë procesi i negociatave është shndërruar në përpjekje për t’i dhënë Vuçiçit diçka që ai të afrohet me Perëndimin dhe të largohet nga Rusia,” thotë ai.

“Kjo strategji është bazuar në idenë se kjo kontribuon tek rendi dhe stabiliteti në rajon. ‘Nëse e frenojmë ndërhyrjen e Rusisë, atëherë do të jemi në gjendje të kemi një rajon më të qetë dhe më të afërt me interesat tona’. Kjo ide ka dështuar. Serbia është bërë më e guximshme këto pesë vite, është bërë më autoritare në planin e brendshëm dhe për të destabilizuar Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi e në një shkallë më të vogël edhe Maqedoninë e Veriut,” shton zoti Hehir.

Zoti Naegele konsideron se gjatë një dekade dialog, pozicioni i Serbisë veçse është ashpërsuar në raport me Kosovën.

“Gjërat vetëm janë përkeqësuar. Nuk ka vullnet për përparim – Serbia e siguruar nga Moska, po luan për të fituar kohë duke besuar se duke e tërhequr zvarrë këtë çështje, situata ndërkombëtare me kalimin e kohës do të jetë në favor të tyre dhe interesave të Moskës,” thotë zoti Naegele.

Qëndrimin publik së fundmi të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë që kërkuan nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të fillojë procesin e formimit të asociacionit dhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq njohjen në praktikë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, zoti Hehir e konsideron si një kërkesë që duhej të ishte bërë një dekadë më parë.

“Mendoj se qeveria e Kosovës ka dëshmuar gatishmëri të bëjë kompromis. Në opozitë, zoti Kurti ishte kundërshtar i zëshëm i asociacionit, ndërsa tani nga pozita në qeveri, është treguar i hapur ndaj idesë për ta krijuar asociacionin, ndonëse jo në të njëjtën formë si varianti i mëparshmëm që ishte në kundërshtim me kushtetutën,” thotë eksperti nga Universiteti i Westminster.

Megjithatë, zoti Hehir thotë se zoti Kurti ka të drejtë që nuk pranon zbatimin e asociacionit para se të marrë disa garanci rreth statusit të Kosovës.

“Nuk mund të kemi një situatë ku nga Kosova pritet të zbatojë të gjitha këto politika që mund të jenë shumë të rrezikshme për të, që i japin Serbisë ndikim të rëndësishëm në Kosovë, që i nxisin serbët e Kosovës të shkëputen nga qeveria qendrore e Kosovës. Do të ishte çmenduri të zbatohen para se Serbia të dëshmojë qartazi se pranon të drejtën e Kosovës për të ekzistuar,” thotë ai.

Zoti Naegele thotë se deklarata e tre udhëheqësve evropianë është zhvillim pozitiv, por gjasat janë të vogla që ai do të ndikojë në pozicionet e palëve.

“Nuk do të ndryshojë asgjë nëse dy palët nuk vendosin të bëjnë diçka (konkrete). (Deklarata) është pozitive në kuptimin që deklaron qartazi çfarë duhet të bëhet, në vend të mosangazhimit apo deklaratave që u bëjnë thirrje palëve të ndërmarrin ndonjë veprim me gjuhën e zakonshme të BE-së që, siç e shohim në raportin e Kosovës, duhet lexuar mes rreshtash… Por procesi nuk do të përparojë nëse përfaqësuesit e BE-së nuk i mbledhin palët në të njejtën sallë. Duhet të jenë më këmbëngulës me ta,” thotë zoti Naegele.

Zoti Naegele thotë se është shansi i fundit që vendet e Bashkimit Evropian të diskutojnë për sjelljen e Beogradit dhe të kushtëzojnë përparimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane me qendrimin e saj ndaj Kosovës.

Për zotin Hehir, nëse qëllimi i dialogut është vetëm të krijojë stabilitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky synim në të ardhmen do të jetë i paqendrueshëm.

“Në rastin e procesit të dialogut, nëse qëllimi është vetëm të krijojë stabilitet ndërmjet këtyre dyja vendeve, në të ardhmen afatgjatë do të jetë i paqendrueshëm sepse do të nxitë nacionalizmin serb dhe do t’i bëjë të pakënaqur njerëzit në Kosovë… Do të krijojë pakënaqësi, trazira dhe do të bëhet burim i destabilizimit… Një Kosovë e pavarur nuk është kërcënim për askënd. Një Serbi luftarake është kërcënim për të gjithë,” shtoi ai.

Por mungesën e përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, zoti Naegele ia atribuon edhe aktorëve të angazhuar në dialogun e normalizimit – zotit Vuçiç, ministër i Sllobodan Millosheviqit dhe aktualisht aleat i partive radikale serbe në Serbi dhe zotit Kurti, një i burgosur politik i regjimit të Millosheviçit dhe pastaj udhëheqës që ka përdorur veprime dramatike në 16 vitet e fundit.

“Duhet të jesh shumë optimist, për të mos thënë naiv, të besosh se këta dy individë do të jenë të gatshëm të arrijnë pajtim për një marrëveshje, t’i përmbahen asaj dhe pastaj të pritet nga prej tyre ta zbatojnë,” deklaroi zoti Naegele.

Në kushtet kur edhe politika e brendshme në dy vendet ushqehet nga debatet rreth mosmarrëveshjeve në procesin e normalizimit, analistët mendojnë se një vizion i qartë dhe strategji për zgjidhje të qendrueshme nga negociatorët perëndimorë, përfshirë njohjen e Kosovës, janë të domosdoshme për të shmangur dështimin e mëtejshëm./VOA

Nga rubrika